Struktura Udhëheqëse e Klubit

Dr. Thomas Wüstefeld – Presidenti i Klubit

Dr. Thomas Wüstefeld është një sipërmarrës me përvojë dhe dashamirës i futbollit, i cili që prej vitit 2025 drejton në mënyrë strategjike FC Drenica si President i klubit. Vizioni i tij është zhvillimi i qëndrueshëm sportiv dhe financiar i klubit, ngritja në standarde evropiane dhe forcimi i punës me të rinjtë.

Përvoja profesionale
Sipërmarrës në industrinë farmaceutike: Themelues dhe drejtues i disa kompanive ndërkombëtare në fushën e farmacisë dhe shëndetësisë, të cilat u bënë lidere të tregut.

Drejtor Financiar (CFO) dhe Anëtar i Bordit Drejtues, Hamburger SV (deri në vitin 2022): Përgjegjës për financat, strategjinë dhe zhvillimin strukturor të njërit prej klubeve më të mëdha në Gjermani.

Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, Hamburger SV: Kontribut në riorganizimin ekonomik dhe stabilizimin afatgjatë të klubit.

Aftësi dhe kompetenca
Menaxhim strategjik i ndërmarrjeve,Menaxhim financiar dhe zhvillim organizativ,Përvojë në biznesin ndërkombëtar, Menaxhim futbolli në nivel të lartë, Zhvillimi i të rinjve dhe i talenteve

Lidhja me FC Drenica
Emërimi i Dr. Wüstefeld si President i FC Drenica u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Faton Seferin, me synim profesionalizimin e klubit në të gjitha nivelet dhe forcimin e bazës për të ardhmen.

Deklaratë
“Me pasion për futbollin, forcë ekonomike dhe një vizion të qartë, do të punoj së bashku me ekipin dhe partnerët tanë për ta udhëhequr FC Drenica drejt një të ardhmeje të suksesshme.”

Faton Seferi – Zv.President i Klubit
Faton Seferi u lind në vitin 1984 në Skenderaj, ku kreu shkollën fillore dhe më pas shkollën e mesme të mjekësisë. Në moshën 18-vjeçare emigroi në Gjermani, duke filluar një kapitull të ri jetësor e profesional.
Aktivitetin e tij në Gjermani e nisi në sektorin e gastronomisë, hotelerisë dhe turizmit, ku themeloi dhe zhvilloi me sukses kompani të shumta deri në fillimin e pandemisë. Paralelisht themeloi dhe zhvilloi edhe biznesin në tregun e pasurive të patundshme (imobilie).
Me ardhjen e pandemisë, Faton Seferi filloi një kapitull të ri në sektorin e tregtisë me pakicë dhe shumicë të produkteve ushqimore, duke themeluar dhe drejtuar kompani të suksesshme, përfshirë prodhimin e mishit dhe produkteve të mishit, duke drejtuar një fabrikë moderne të përpunimit të mishit (Industriemezgerei).
Përvoja e tij e gjerë profesionale përfshin gjithashtu edhe fushën e telekomunikacionit, ku themeloi dhe realizoi projekte si kontraktor gjeneral për kompani të njohura evropiane. Këto projekte vazhdojnë ende me sukses të madh, duke dëshmuar aftësi të shkëlqyera menaxheriale dhe koordinuese.
Në kuadër të Facility Management, themeloi dhe zhvilloi një biznes të suksesshëm i cili vazhdon të operojë suksesshëm edhe sot. Gjithashtu themeloi dhe drejtoi një agjenci sigurimesh me shumë sukses në tregun gjerman.
Faton Seferi ka qenë anëtar aktiv dhe Senator i European Senate of Economy and Technology, duke kontribuar dukshëm në sferën ekonomike, teknologjike dhe politike, veçanërisht në Gjermani, me fokus të veçantë në Bavari dhe Baden-Württemberg. Ai është i njohur për lidhjet e tij të ngushta dhe rrjetin e gjerë profesional në nivel evropian.
Aktualisht, Faton Seferi është nënkryetar i FC Drenica, ku është angazhuar fuqimisht në ristrukturimin dhe zhvillimin e klubit, duke dhënë kontribut vendimtar në orientimin e tij drejt profesionalizmit dhe sukseseve të reja.
Në të gjitha këto kompani e biznese të themeluara nga vetë ai, Faton Seferi vazhdon të jetë aksionari kryesor dhe aktiv në menaxhimin dhe drejtimin e tyre strategjik.
Çaush Dobra – Anëtar i Bordit

Çaush Dobra është një profesionist i përkushtuar dhe me përvojë të gjerë, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin dhe strukturimin e klubit futbollistik KF Drenica. Ai ka shërbyer me përkushtim si nënkryetar i klubit nga viti 2022, duke qenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes strategjike dhe forcimit të infrastrukturës sportive.

Pas katër vitesh përvojë si nënkryetar, aktualisht është anëtar i Bordit Drejtues të Klubit si ushtron funksionin e Drejtorit Teknik, ku angazhohet në menaxhimin teknik, zhvillimin sportiv dhe përmirësimin e performancës së ekipit në të gjitha nivelet.

Përveç angazhimit në sport, ai është kirurg oral i diplomuar, me reputacion profesional të dëshmuar në fushën e mjekësisë dhe shëndetit oral.

Me përvojën, profesionalizmin dhe pasionin për futbollin, ai vazhdon të japë një kontribut të madh në zhvillimin e KF Drenica, duke qenë shembull i përkushtimit dhe vizionit për të ardhmen e klubit.

Basri Jashari – Drejtor Ekzekutiv

Basri Jashari është një emër i njohur në komunitetin sportiv të Drenicës dhe më gjerë. Me titullin Master në Edukatë Fizike dhe trajner i licencuar me Licencë B, dhe me një përvojë të gjatë si futbollist aktiv si para ashtu edhe pas luftës, ai ka dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm ndaj zhvillimit të sportit në vend. Krahas karrierës si sportist, z. Jashari ka ndërtuar një karrierë të sukseshme në arsim, me mbi 20 vite përvojë në fushën e edukimit fizik, duke ndikuar pozitivisht në formimin e brezave të rinj.

Në janar të vitit 2024, ai iu bashkua FC Drenicës, fillimisht si Koordinator i Shkollës së Futbollit, ku tregoi profesionalizëm dhe përkushtim në organizimin dhe zhvillimin e talenteve të reja. Më pas, kontributi i tij u zgjerua si ndihmëstrajner i ekipit të parë, rol në të cilin pati ndikim të drejtpërdrejtë në suksesin historik të klubit për rikthimin e Klubit në elitën e futbollit kosovar, në Superligën e Kosovës.

Falë përvojës së tij shumëvjeçare në sport dhe menaxhim, si dhe angazhimit të pandërprerë brenda klubit, më 1 korrik 2025, pas riorganizimit të strukturës së klubit, Basri Jashari është emëruar në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të FC Drenicës. Në këtë rol të rëndësishëm, ai pritet të udhëheqë me vizion të qartë dhe vendosmëri fuqizimin e klubit në aspektin organizativ, sportiv dhe financiar.

Granit Musliu – Sekretar

Granit Musliu është jurist i diplomuar me një karrierë të konsoliduar në administratën publike dhe sektorin privat, duke u dalluar për përkushtim, profesionalizëm dhe kontribut të vazhdueshëm në fushën juridike dhe organizative.

Ai ka filluar karrierën e tij në institucione shtetërore, duke punuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Më pas, ka shërbyer si Nënkryetar i Komisionit të Pavarur për Media për një mandat dyvjeçar, ku ka kontribuar në rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit të mediave në Kosovë, duke ruajtur balancën ndërmjet lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë institucionale.

Që nga viti 2020, z. Musliu është pjesë e kompanisë Nexia Kosovo, një ndër firmat më të njohura të konsulencës tatimore, financiare dhe ligjore në Kosovë, ku ka fituar përvojë të gjerë në trajtimin e çështjeve komplekse të natyrës korporative dhe administrative.

Në janar të vitit 2024, iu bashkua FC Drenicës në pozitën e Sekretarit të klubit, rol në të cilin ka dhënë kontribut të madh në strukturimin dhe forcimin e bazës ligjore e organizative të klubit. 

Me përvojën e tij të gjerë dhe qasjen e balancuar ndërmjet ligjit dhe praktikës menaxheriale, Granit Musliu mbetet një shtyllë e rëndësishme në zhvillimin e qëndrueshëm të FC Drenicës.

Granit Koci – Kordinator Sportiv
Granit Koci eshte një emër i njohur në futbollin kosovar, pasi që për një kohë të gjatë është pjesë e FC Drenica dhe në role të ndryshme të sporit. Ai ka filluar si femijë i vogël që ta ndjek futbollin, pasioni dhe dashuria për futbollin e benë atë qe si femijë i vogel përkundër kushteve të veshtira infrastrukturore të ndjekë nga afër të gjitha ndeshjet e FC Drenica.
 
Shkollën fillore dhe te mesme e ka perfunduar në Skenderaj kurse ka studiuar për gazetari, ku gjatë studimeve arriti të punësohej në gazetën sportive në vend ‘Sport Plus’ e cila ishte e profilizuar për sport në vitin 2012 e ku qëndroi për 2 vite deri sa ajo gazetë u mbyll.
 
Sii ri në moshën e re 16 vjeçare ai u bë pjesë e akademisë së futbollit Drenica, në grupmoshën U17 dhe më pas U19. Nuk e kishte fatin të bëhëj futbollist, por vendosi të behët gjyqtar i futbollit, ku edhe është i certifikuar në këtë drejtim e ku këtë karrierë e nisi me 19 vjet ndersa e vijoi detyren e gjyqtarit deri në moshën 27 vjeçare.
 
Në fund të vitit 2013 ai u angazhua si Drejtor Sportiv në klubin e futbollit për femra 13 Qershori në Suharekë , ku me ketë skuadër arriti sukses të madh pasi për herë të parë në histori të klubit skuadra nga Suhareka në futboll të femrave luajti në finale të Kupës së Kosovës. Graniti qëndroi në këtë skuadër në rolin e Drejtorit Sportiv për dy vite, deri në vitin 2015.
 
Në Korrik 2016 , ai mori atë që e kishtë endërr. Klubi i zemres FC Drenica i bëri ofertë që të angazhohet në atë kohë në rolin e Sekretarit të Pergjithshem të FC Drenica, ku me kënaqësi ai pranoi ofertën dhe u bë pjesë e klubit. Që nga ajo kohë e deri më tani ai është akoma pjesë e klubit e ku gjatë kësaj periudhe në 2024 për gjashtë (6) muaj ishte në rolin e Drejtorit Sportiv, pastaj në rolin e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Financiar. Krahas aktivitetit në FC Drenica, aktualisht ai është edhe delegat i ndeshjeve të Kategorisë së Parë dhe Ligës U21 në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës.
 
Duke marrë perbazë pervojën e tij thuajse 10 vjeçare në futbollin kosovar, konkretisht me klubin Drenica në role te ndryshme si dhe njohurive të pergjithshme në lidhje me organizimin e klubit, administratën dhe pjesën sportive, Granit Koci, është një emër i njohur për sportin kosovar e ne veçanti futbollin dhe një person i rendësishëm në zhvillimin e me tutjeshem të FC Drenica.
Bedri Mangjolli – Koordinator i Shkollës së Futbollit

Bedri Mangjolli është mësimdhënës i edukatës fizike dhe trajner futbolli. Ai ka përfunduar studimet master në Fakultetin e Kultures Fizik dhe Sportit dhe posedon Licencën B në Futboll, të njohur ndërkombëtarisht. 

Që nga viti 2010, është i angazhuar në arsim, ku ligjëron edukatën fizike për nxënësit e klasave 6 deri në 9. 

Nga viti 2023 është i angazhur trajner i grupmoshave të Kf. Drenica.

Me përvojë dhe përkushtim në fushën e arsimit dhe sportit, ai punon vazhdimisht për të nxitur te të rinjtë një mënyrë jetese aktive, disiplinë dhe pasion për sportin.

Aktualisht Z. Mangjolli është i angazhuar në klubin e FC Drenicës në pozitën e Koordinatorit të Shkollës së Futbollit.